Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mungesa e vitaminës D mund të prekë edhe personat që janë në formë të mirë fizike dhe që nuk kanë probleme të dukshme shëndetësore. Kështu raporton BBC News, duke sjellë rastet e të rinjve që janë diagnostikuar me mungesë të theksuar të kësaj vitamine.
Njëra prej tyre është Saskia Reeves-Priestley, 23-vjeçare nga Britania e Madhe, e cila u rrëzua papritur në vendin e punës. Ajo përjetoi marramendje, të përziera, rrahje të shpejta të zemrës dhe ndjesi të fortë nxehtësie. Më vonë, analizat e gjakut treguan se niveli i vitaminës D ishte jashtëzakonisht i ulët.
Sipas të dhënave të publikuara në Britani, vitin e kaluar gati një e katërta e të rinjve të moshës 11 deri në 18 vjeç kishin mungesë të vitaminës D.
Simptomat mund të jenë të vështira për t'u dalluar dhe përfshijnë lodhje, dhimbje të eshtrave dhe të nyjeve. Në rastet e rënda, mungesa e kësaj vitamine mund t'i dobësojë eshtrat dhe të rrisë rrezikun për fraktura.
Vitamina D merret përmes ushqimeve, si peshku yndyror dhe disa lloje të mishit, si dhe përmes suplementeve. Megjithatë, pjesa më e madhe prodhohet nga organizmi kur lëkura ekspozohet ndaj rrezeve të diellit.
Mungesa e dritës së diellit gjatë dimrit, ngjyra më e errët e lëkurës dhe mbulimi i pjesëve të trupit mund të ndikojnë në prodhimin e kësaj vitamine.
Ekspertët e cituar nga BBC News paralajmërojnë se mungesa e vitaminës D mund të mbetet e pazbuluar për një kohë të gjatë. Nëse dyshoni se keni mungesë të saj, këshillohet të konsultoheni me mjekun, i cili mund të vlerësojë nëse nevojiten analiza apo suplemente.