Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

Emisioni i mengjesit


Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 07:30 - 09:30

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Biznesi dhe ligji, drejtimet më të zgjedhura nga studentët në Kosovë

Vendi  |  20.10.2026 Ora 8:08   

Biznesi, administrata dhe ligji janë fushat më të preferuara nga studentët që regjistrohen për herë të parë në studimet Bachelor dhe Master në Kosovë. Në anën tjetër, bujqësia, pylltaria, peshkimi dhe veterinaria kanë numrin më të ulët të regjistrimeve të reja.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin akademik 2025/2026, në nivelin Bachelor janë regjistruar për herë të parë 17 mijë e 605 studentë në universitetet publike dhe kolegjet private. Prej tyre, 10 mijë e 553 janë femra dhe 7 mijë e 52 meshkuj.

Biznesi, administrata dhe ligji prin me 5 mijë e 416 regjistrime, apo 30,8 për qind të totalit. Pas kësaj fushe renditet teknologjia informative dhe komunikimi (TIK), me 2 mijë e 989 studentë, e ndjekur nga shëndeti dhe mirëqenia, me 2 mijë e 350 studentë.

Në nivelin Bachelor, dallime gjinore vërehen në disa fusha. Në TIK janë regjistruar 1 mijë e 933 meshkuj dhe 1 mijë e 56 femra. Ndërsa në shëndet dhe mirëqenie, femrat dominojnë me 1 mijë e 901 regjistrime, krahasuar me 449 meshkuj. Edhe në arsim, shumica dërrmuese e studentëve të rinj janë femra.

Biznesi prin edhe në nivelin Master

Në studimet Master, për herë të parë janë regjistruar gjithsej 4 mijë e 650 studentë, prej të cilëve 3 mijë e 70 femra dhe 1 mijë e 580 meshkuj.

Edhe në këtë nivel, biznesi, administrata dhe ligji kryesojnë me 1 mijë e 528 regjistrime, që përbëjnë 32,9 për qind të totalit. Pas tyre renditen inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi, me 689 studentë, si dhe shëndeti dhe mirëqenia, me 520 studentë.

Në Master, dallimi gjinor është veçanërisht i theksuar në arsim, ku femrat përbëjnë 87,4 për qind të studentëve, sipas të dhënave të ASK-së. Ndërkaq, në teknologjinë informative dhe komunikim, meshkujt vazhdojnë të jenë më të shumtë.

Në të dy nivelet e studimit, numri më i ulët i regjistrimeve të reja është shënuar në bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari: 259 studentë në Bachelor dhe 77 në Master.

Të dhënat e ASK-së përfshijnë edhe krahasime me vitin akademik 2024/2025, duke treguar ndryshime në numrin e përgjithshëm të studentëve sipas fushave të studimit.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing