Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në pyjet e Japonisë, dëmtimi i pemëve nga arinjtë zakonisht nënkupton humbje të vlerës së tyre për industrinë e drurit. Por artisti dhe mjeshtri japonez Takuya Tsutsumi po u jep këtyre pemëve një jetë të re, duke i kthyer në mobilie dhe objekte artistike.
Arinjtë dëmtojnë pemët duke hequr lëvoren për të arritur te lëngu dhe lëndët ushqyese nën të. Ky proces, i njohur si “kumahagi”, mund ta ulë ndjeshëm vlerën e drurit, pasi dëmtimi ndryshon strukturën dhe pamjen e tij.
Tsutsumi krijoi në vitin 2022 “Bears Wood Project”, përmes të cilit druri i dëmtuar nuk dërgohet për t’u bërë copëza druri, por përpunohet me urushi, një rrëshirë natyrale japoneze, dhe shndërrohet në produkte të veçanta. Nga ky material janë krijuar dërrasa sërfi, skateboard, karrige, tabela për studio tatuazhesh dhe materiale për rinovimin e shtëpive. Projekti synon të tregojë se ajo që shihet si “dëmtim” mund të kthehet në diçka me vlerë dhe njëkohësisht të nxisë diskutimin për bashkëjetesën mes njerëzve dhe arinjve. Sipas studiuesve, pemët e dëmtuara ose të vjetra kanë gjithashtu rëndësi për ekosistemin, pasi mund të ofrojnë habitat dhe ushqim për insekte, kërpudha dhe specie të tjera. Projekti synon kështu të krijojë një lidhje mes artit, pyjeve dhe ruajtjes së natyrës, duke i bërë njerëzit të shohin ndryshe edhe gjurmët që lënë arinjtë në pyll.