Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Fermerët në Kosovë po raportojnë përmirësim në shitjen e qumështit të freskët, pas masave të Qeverisë për kufizimin dhe rregullimin e përdorimit të qumështit pluhur dhe vajit të palmës në industrinë e qumështit.
Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë grumbulluar dhe shitur më shumë se 45 milionë litra qumësht, krahasuar me rreth 35 milionë litra në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, importet e vajit të palmës kanë rënë nga rreth 3 milionë euro në 2.3 milionë euro, ndërsa importi i qumështit pluhur ka rënë nga 1.8 milionë në rreth 1.3 milionë euro në shtatë muajt e parë të vitit.
Fermerë si Arbnor Binakaj nga rrethina e Gjakovës thonë se qumështi tash po shitet më lehtë. Ai planifikon ta rrisë fermën nga 40 në 100 lopë, nëse masat vazhdojnë të zbatohen.
Megjithatë, industria e qumështit vlerëson se situata ende nuk është stabilizuar. Nga Shoqata e Industrisë së Qumështoreve të Kosovës thonë se disa kompani kanë përjetuar rënie të shitjeve deri në 50 për qind, ndërsa disa fabrika kanë pezulluar përkohësisht prodhimin e produkteve të caktuara.
Në fillim të gushtit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte njoftuar se rreth 20 për qind e mostrave të produkteve të qumështit kishin mospërputhje mes përbërjes reale dhe asaj të deklaruar në etiketë. Në një pjesë të rasteve ishte gjetur vaj palme i padeklaruar.
Një tjetër problem mbetet kapaciteti i industrisë. Qumështoret në Kosovë kanë mundësi të përpunojnë rreth 1 milion litra qumësht në ditë, ndërsa aktualisht përpunojnë deri në 300 mijë litra.
Kosova ndërkohë mbulon vetëm rreth 66 për qind të nevojave të tregut me prodhim vendor, ndërsa pjesa tjetër plotësohet përmes importeve.
Sipas të dhënave të vitit 2024, industria e qumështit në Kosovë prodhoi produkte me vlerë 135.2 milionë euro, ndërsa numri i lopëve qumështore ra në 126,549.
Fermerët kërkojnë që masat e reja të vazhdojnë, ndërsa industria kërkon më shumë transparencë dhe informim të konsumatorëve, në mënyrë që të rikthehet besimi në produktet vendore.