Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Volkswagen Group ka njoftuar se planifikon të shkurtojë rreth 50 mijë vende pune dhe të përgjysmojë numrin e modeleve të veturave që ofron, në kuadër të një plani për uljen e kostove.
Kompania gjermane po përballet me konkurrencë në rritje nga prodhuesit kinezë të veturave në Evropë, si dhe me kostot e tarifave amerikane për automjetet e importuara.
Volkswagen thotë se fabrikat e saj në Gjermani kanë kapacitet të tepërt për rreth 500 mijë vetura në vit, por nuk ka bërë të ditur se cilat fabrika apo vende pune mund të preken.
Kompania, e cila përveç Volkswagen përfshin edhe marka si Audi, Porsche dhe Lamborghini, planifikon gjithashtu të reduktojë me 75 për qind kompleksitetin e veturave që prodhon. Kjo do të nënkuptojë më pak variante dhe më pak mundësi për blerësit që të zgjedhin specifika të personalizuara.
Volkswagen po përballet edhe me kosto të larta nga tarifat amerikane, të cilat sipas vlerësimeve mund t’i kushtojnë kompanisë deri në 5.8 miliardë dollarë gjatë këtij viti.
Ndërkohë, prodhuesi gjerman po përballet me sfida edhe në tregun e veturave elektrike, për shkak të konkurrencës së markave kineze dhe ndryshimeve në politikat amerikane për automjetet elektrike.