Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Borxhi kombëtar i Shteteve të Bashkuara ka kaluar për herë të parë shifrën prej 40 trilionë dollarësh, duke rritur shqetësimet për gjendjen financiare të ekonomisë amerikane.
Në vitin 1981, borxhi amerikan arriti për herë të parë në 1 trilion dollarë. Ndërsa në fillim të mandatit të parë presidencial të Donald Trumpit, në vitin 2016, borxhi ishte pak nën 20 trilionë dollarë. Brenda rreth një dekade, ai është dyfishuar.
Borxhi po rritet me rreth 90 mijë dollarë në sekondë, ndërsa pagesat për interesat e borxhit janë rritur ndjeshëm. Ekspertët e lidhin rritjen me shpenzimet e larta publike, uljet e taksave, huamarrjen gjatë krizave si pandemia dhe rritjen e normave të interesit.
Sipas parashikimeve të Zyrës së Buxhetit të Kongresit, borxhi amerikan mund të arrijë rreth 64 trilionë dollarë deri në vitin 2036.
Megjithatë, ekonomistët thonë se situata nuk është ende kritike. Pozita e SHBA-së si ekonomia më e madhe në botë dhe roli i dollarit si monedhë rezervë i japin vendit më shumë hapësirë për të përballuar borxhin.
Por rritja e kostove të huamarrjes mund të prekë edhe qytetarët përmes kredive më të shtrenjta për banesa, makina dhe karta krediti, si dhe çmimeve më të larta.
Ekspertët paralajmërojnë se pa rritje të mjaftueshme ekonomike, SHBA-ja mund të përballet me nevojën për reforma në taksa dhe shpenzime publike.