Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Hapja e bizneseve të reja në Kosovë ka vazhduar të bjerë për të tretin muaj radhazi. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë qershorit u regjistruan 1,092 ndërmarrje të reja, 16 më pak se në maj dhe 59 më pak se në qershor të vitit të kaluar.
Krahasuar me majin, numri i bizneseve të reja ka rënë për 1.4%, ndërsa në raport me qershorin e vitit 2025, rënia është 5.1%.
Pas kulmit prej 1,339 regjistrimesh në mars, numri i bizneseve të reja ra në 1,124 në prill, 1,108 në maj dhe 1,092 në qershor.
Ndërkohë, gjatë qershorit u mbyllën 107 biznese, krahasuar me 78 në maj. Si rezultat, bilanci mes bizneseve të reja dhe atyre të mbyllura ishte 985.
Tregtia me shumicë dhe pakicë mbetet sektori me më së shumti regjistrime, me 242 biznese, e ndjekur nga akomodimi dhe shërbimet ushqimore me 124, ndërtimtaria me 121 dhe aktivitetet profesionale, shkencore e teknike me 114 biznese.
Prishtina vazhdon të kryesojë me 536 biznese të reja, ose 49.1% të të gjitha regjistrimeve në qershor. Rritje u shënuan edhe në Pejë, Gjilan dhe Ferizaj, ndërsa rënie pati në Gjakovë, Prizren dhe Mitrovicë.
Sa i përket madhësisë, pothuajse të gjitha bizneset e reja janë mikro-ndërmarrje. Nga 1,092 bizneset e regjistruara, 1,088 kanë nga 0 deri në 9 të punësuar.