Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Familjarët e 78-vjeçarit Xhafër Raçi, i cili vuan nga demenca, po vazhdojnë kërkimet për të, pasi ai është parë për herë të fundit më 4 korrik pranë një deponie të dheut në Butovc të Prishtinës.
Familja e kishte raportuar të zhdukur dy ditë më pas. Gjatë kërkimeve, familjarët kanë gjetur vetëm një palë këpucë që i përkasin atij, ndërsa deri tani nuk kanë gjetur gjurmë të tjera që mund të ndihmojnë në përcaktimin e vendndodhjes së tij.
Familjarët kanë apeluar te qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion ose e kanë parë 78-vjeçarin, ta njoftojnë Policinë e Kosovës ose familjen.
Rastet e personave të zhdukur vazhdojnë të jenë shqetësuese. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë raportuar rreth 90 persona të zhdukur.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim thotë se rastet e personave me demencë janë veçanërisht sfiduese për ekipet e kërkimit, për shkak të vështirësive në përcaktimin e vendndodhjes së tyre dhe terrenit ku mund të jenë larguar.
Familja e Xhafër Raçit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e tij.