Nga: RADIO PLUS 102.2 FM
Rajon i njëjtë, vetëm dhjetëra kilometra distancë, botëkuptim i ndryshëm. Diaspora e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dallon shumë në intensitetin e vëmendjes për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vendet e tyre të origjinës. Krahas investimeve, remitencave, statistikat për impaktin social dhe politik tregojnë një diskrepancë të lartë të interesave që ata shfaqin
Për Adriatik Gashin që prej 20 vitesh jeton në një nga shtetet evropiane, Kosova vazhdon të mbetet jo një vend i origjinës, por një botëkuptim, nga i cili zhvillohet edhe jeta e tij. Remitencat, pushimet verore, ato dimërore dhe investimet në pronë janë vetëm disa nga “varshmëritë” e pashmangshme, për të cilat me koshiencë ai e ndanë jetën në dysh.
Këtë trajektore që ai ndjek e arsyeton me dëshirën për t’i mbajtur lidhjet me rrënjët dhe gjenezën. Prej vitesh, vetës i ka vënë edhe obligimin për të votuar, madje në secilin proces zgjedhor.
“Mundem mos me pas kohë për shumë gjëra, por me i përcjellë ndeshjet me Realin dhe debatet politike e me votu, gjithë e gjej kohën”, thotë Adriatiku, në një intervistë për Radio Plus 102.2 fm, që këtë entuziazëm e shpjegon me detyrimin vetëpërcaktues, për të kontribuar për vendin, për Kosovën, përmes votës për atë kandidat apo parti politike, që ai beson se janë më të mirët.
Dhe ai nuk është i vetëm në këtë “mision” të diasporës për t’i mbajtur lidhjet me Kosovën, duke ndikuar në shumë procese, ekonomike, politike dhe sociale.
Ndryshe nga ai, Avni Abazi nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut ka dy dekada që jetën bashkë me familjen e tij e ka zhvendosur në disa shtete evropiane e së fundmi në Gjermani. Sic tregon në intervistë me Radio Plus, Interesimi i tij për vendlindje dhe familjarët që ka aty vazhdon të jetë i lartë, por jo edhe vëmendja për zhvillimet politike. Si diasporë, ai vazhdon të jap kontribut ekonomik në vend, por për impaktin social dhe politik, sic thotë ai, janë banorët rezidentë që duhet të vendosin dhe të marrin përgjegjësi!
Këto dy raste, tregojnë trende të ndryshme në praktikë. Rajon i njëjtë, vetëm dhjetëra kilometra distancë, botëkuptim i ndryshëm!
Diaspora e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dallon shumë në intensitetin e vëmendjes për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vendet e tyre të origjinës. Krahas investimeve, remitencave, statistikat për impaktin social dhe politik tregojnë një diskrepancë të lartë të interesave që ata shfaqin.
Politizim i ndryshëm, por shkalla e emigrimit vazhdon të jetë e lartë!
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe shtete të tjera të Ballkanit, vazhdojnë të kenë numër të lartë të emigrimit të popullatës së tyre. Rrethanat sociale, ekonomike dhe politike, janë disa nga arsyet që ata japin, si shkas për ta ndryshuar vendbanim.
Këto arsye kanë qenë nga më të ndryshmet me kalimin e viteve, derisa në dhjetëvjecarin e fundit, në të dyja vendet është evidentuar një trend emigrimi i profileve profesionale, megjithëse statistikat tregojnë që Kosova kryeson me numër, krahasuar me Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përgjatë viteve, emigrimi i qytetarëve nga Kosova drejt vendeve tjera ka pasur luhatje të konsiderueshme. Pika më e lartë u shënua në vitin 2015 me 74,434 emigrantë, ndërsa niveli më i ulët ishte në vitin 2020 me 8,724 emigrantë. Në përgjithësi, brenda një dekade (2015-2024) nga Kosova kanë emigruar 322 mijë persona.
Emigracioni është prezentë edhe në Maqedoninë e Veriut, megjithëse shifrat nga Enti Shtetëror i Statistikave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe IOM, tregojnë një trend më të ulët të këtij fenomeni. Nga 612 qytetarë që kanë emigruar në vitin 2019, në vitin 2024 ky numër shkon në 1,476 qytetarë.
Në fakt, popullsia e përgjithshme emigrante e Maqedonisë së Veriut jashtë vendit arriti rreth 693,900 në 2020, ose rreth 25–33% e popullsisë rezidente, që tregon një lëvizje të qytetarëve të këtij vendi, në vitet e mëhershme dhe gjithashtu këto të dhëna kanë shfaqur një tendencë në rritje të emigracionit veçmas të punëtorëve të kualifikuar.
Pjesa e emigrantëve që bëjnë pjesë në fuqinë punëtore arriti 40–50% në disa vlerësime deri në 2021.
Remitencat - akt patriotik apo peng i ikjes?
Diaspora e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, numerikisht dallon nga njera tjetra, por lidhjen emocionale dhe sociale vazhdojnë ta mbajnë të njëjtë. Megjithëse edhe këtu, shifrat e remitencave dallojnë.
Në Kosovë, nga të dhënat zyrtare që ka marr Radio Plus nga Banka Qendrore e Kosovës dhe ASK, remitencat nga 665.5 milionë euro sa ishin në vitin 2015 arritën deri në 1.4 miliardë euro në vitin 2025, duke dyfishuar kështu vlerën e tyre brenda një dekade.
Rëndësia e remitancave për ekonominë e Kosovës është e dukshme edhe në peshën e tyre në Bruto Produktin Vendor (BPV), ku ato kanë kontribuar mesatarisht me 13% të BPV-së gjatë dekadës së fundit, duke arritur kulmin prej 14% gjatë viteve 2020-2023.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas raporteve të marra nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, remitencat mbulojnë, mesatarisht 2–3% e PBB-së në vit, shpesh të përdorura për konsum familjar në vend të investimeve.
Nga 213.61 milionë dollarë të dërguara nga diaspora maqedonase në vitin 2016, me 323.54 milionë dollarë në 2020, për të vazhduar me 450 milionë dollarë në 2022, pasuar me 462.46 milionë në 2023 dhe 458.15 milionë dollarë në vitin 2024.
Një përqindje e madhe e këtyre remitencave dërgohen edhe në formën e parave cash, fakt ky që shifrat e mësipërme mund të jenë edhe më të larta.
Remitencat nga “lëmoshë sociale” në investime kapitale!
Një trend tjetër evident në dhjetëvjecarin e fundit për diasporën është mënyra e shpenzimit të parave. Dikur këto remitenca ishin dërguar kryesisht si ndihmë sociale, tani statistikat tregojnë që diaspora në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, një pjesë të parave të dërguara në vendlindje, e kanë orientuar edhe në investime, qoftë në prona apo në biznese.
Sipas Bankes Qendrore të Kosovës, trajektorja e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në Kosovë, tregon trefishimin e vlerës nga 308.8 milionë euro sa ishin në vitin 2015 në 934.3 milionë euro deri në muajin nëntor të vitit 2025, derisa sektori dominant i IHD-ve mbetet ai i patundshmërisë që arriti 692.8 milionë euro (74% e gjithsej IHD-ve) gjatë vitit 2025.
Sektorë të tjerë si aktivitetet financiare, tregtia, informacioni dhe energjia kontribuojnë gjithashtu, megjithëse me vlera më të ulëta.
Sipas raporteve zyrtare të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, investimet e huaja direkte, kryesisht nga diaspora janë të përqendruara në patundshmëri, për të pasuar me sektorë të tjerë sic janë Startup-et e biznesit, tregtia, turizmi dhe inovacionet e gjelbra.
Kush paguan muzikën, kërcen edhe vallen!
Remitencat dhe investimet direkte në ekonominë e Kosovës, me dashje apo pa të, kanë krijuar edhe varshmërinë sociale, e jo në pak raste edhe atë politike për banorët e Kosovës, nga anëtarë të tyre të familjes që jetojnë në diasporë.
Jo rrallë herë, edhe vendimet e përditshme, nisur nga ato më pak të rëndësishme e deri te përcaktimet, nga shumë familje, bëhen me qasjen e këshillimit me anëtarin e familjes që jeton në diasporë, konkretisht me atë që ka dërguar para në shtëpi.
Kësisoj, diaspora e Kosovës ka vetë-marrë një rol që të jetë faktor vendimarrës edhe në përcaktimet politike. Më saktësisht mobilizimi masovik, mbi këtë interesim apo impenjim të diasporës kosovare, ka çuar në numër rekord pjesëmarrësish në zgjedhjet e fundit.
Nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Kosovës, në zgjedhjet e qershorit 2017, vetëm 5,201 persona nga diaspora votuan me postë, me një numër prej 57,065 votash të regjistruara në shkurt 2021. Trendi i rritjes së interesimit shënoi kulmin në zgjedhjet e shkurtit 2025, ku 15,348 persona votuan fizikisht në ambasada dhe konsullata, ndërsa 63,705 të tjerë votuan me postë, duke arritur në një total prej 79,053 votash nga diaspora (8.2% e votave totale).
Derisa në zgjedhjet e parakohshme të Dhjetorit 2025, votimi në përfaqësi diplomatike vazhdoi, me 16,023 vota të vlefshme hedhura në ambasada dhe konsullata, dhe 46,171 vota me postë, duke sjellë totalin në 62,194 vota (6.5%).
Në këtë interesim, Kosova është kampion sa i përket vendeve të Ballkanit Perendimor. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat nga Maqedonia e Veriut, konkretisht nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, të cilat tregojnë që ndryshe nga remitencat dhe investimet, impakti politik i tyre është shumë i zbehtë.
Votimi i diasporës maqedonase bëhet përmes zyrave diplomatike-konsullore (ZDK), por pjesëmarrja e diasporës së këtij vendi, shpesh nuk arrin pragun për ulëset e rezervuara (3 ulëse në parlament për jashtë vendit).
Vetëm 2,571 votues ishin regjistruar për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Maqedoninë e Veriut (në 31 ZDK), me pjesëmarrje reale të pamjaftueshme për ulëset parlamentare, derisa në zgjedhjet parlamentare 2020, ulëset e diasporës mbetën bosh për shkak të votave të ulëta.
Jo vetëm votat me postë, por diaspora kosovare shënoi rekord edhe me pjesëmarrje fizike në zgjedhjet e fundit!
Diaspora kosovare nuk u mjaftua vetëm me mundësinë për të votuar përmes postës apo në konsullatat e këtij shteti në vendet e tjera, por ata, me emocion zgjodhën edhe udhëtimet e tyre drejt vendlindjes. Këtë e tregon edhe numri i madh i udhëtimeve përmes transportit ajror të Prishtinës.
Raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të marra nga Radio Plus, tregojnë që në shkurt të vitit 2024 erdhën 131,536 udhëtarë ndërsa në shkurt të vitit 2025 numri i udhëtarëve hyrës ishte 153,457, një rritje prej 16.7%. Në anën tjetër, në dhjetor 2024 erdhën 196,105 udhëtarë ndërsa në dhjetor 2025 numri arriti në 212,182, një rritje prej 8.2%.
Ky trend ndryshe nga Kosova është pothuajse inekzistentë në Maqedoninë e Veriut. Në përgjithësi këto dy vende, në kufi me njëra tjetrën, përmes proceseve zgjedhore kanë treguar edhe për diskrepancën e madhe të interesimeve politike që kanë diaspora e tyre.
A janë remitencat autoritet moral?
Për profesorin e sociologjisë, Jeton Brajshori, remitancat nga diaspora nuk janë vetëm kapital financiar, ato janë edhe kapital social dhe simbolik, që rikonfiguron marrëdhëniet familjare dhe strukturat e pushtetit brenda familjes.
“Meqenëse familja tek ne në Kosovë eshte në tranzicion (nga patriarkale në moderne) ende vazhdon fuqishëm ti ruaj lidhjet jo vetëm familjës së ngushtë por edhe më gjerë. Nëse i referohemi sociologut të njohur francez Pierre Bourdieu, remitancat krijojnë jo vetëm kapital ekonomik, por edhe kapital simbolik, autoritet moral dhe ndikim në vendimmarrje. Anëtari i familjes që jeton në diasporë, përmes dërgimit të parave, fiton një pozitë të privilegjuar në hierarkinë familjare. Kjo shpesh përkthehet në ndikim mbi mënyrën e jetesës, shpenzimet, investimet, edukimin e fëmijëve, madje edhe orientimin politik të familjes në Kosovë”, thekson Brajshori në një deklarim të dhënë për Radio Plus 102.2 FM.
Për më tepër, sipas tij remitancat krijojnë një formë varshmërie strukturore. Familjet që mbështeten vazhdimisht në të ardhurat nga jashtë rrezikojnë të mos zhvillojnë kapacitete të brendshme ekonomike. Në nivel mikro, kjo varësi prodhon marrëdhënie asimetrike brenda familjes, ai që dërgon para shpesh ushtron kontroll simbolik dhe praktik gjë që është shumë e pranishme tek ne në Kosovë.
Diaspora kosovare, kampion në rolin e tyre social, ekonomik dhe politik!
Diaspora kosovare, mbetet kampion në rolin e tyre social, ekonomik dhe politik në vend, sic mbeten të larta edhe shifrat e emigrimit, krahasuar edhe me trendet e ulëta të Maqedonisë së Veriut.
Megjithëse vendimit për të zhvilluar një jetë të re, në njërin nga vendet evropiane apo më larg, diaspora jonë ka treguar ndër dekada dhe po e dëshmojnë më shumë se kurrë tani, që duan ta vazhdojnë lidhjen e tyre me Kosovën dhe ndihmën ekonomike për pjesën tjetër të familjes.
Por ajo që nuk shihet në statistikat numerike, është impakti social dhe politik, që shpesh me vetëdije apo jo, po e përcakton edhe mënyrën e jetesës në vend.
This story has been produced with the financial assistance of the European Union. The contents of this story are the sole responsibility of team of journalists who produce it and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the European Union.