Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ekziston një sasi e madhe informacioni psikologjik dhe biologjik e ruajtur në aromën tonë trupore, por për ndonjë arsye, ne zgjedhim ta injorojmë atë.
Edhe Mbret Louis XIV i Francës ishte i obsesionuar pas aromave. Çdo dhomë në Versaj ishte e zbukuruar me lule të freskëta, mobiljet dhe fontanat spërkateshin me parfum, dhe vizitorët shpesh dushoheshin para se të hynin në pallat. Luid e kuptonte diçka që shkencëtarët po zbulojnë sot: aroma ka rëndësi.
Aroma jonë trupore mund të zbulojë gjëra për shëndetin, si praninë e sëmundjeve (kolera ka aromë të ëmbël, diabeti akut si mollë të kalbura), apo edhe për dietën tonë. Psikologu australian Mehmet Mahmut thotë: “Sa më shumë mish konsumoni, aq më e këndshme mund të jetë aroma juaj trupore.”
Aroma lidhet gjithashtu me ciklin menstrual. Burrat e perceptojnë më tërheqës aromën e grave gjatë fazës folikulare, kur ato janë më pjellore, dhe më pak tërheqëse gjatë menstruacioneve. Edhe gjenetika luan një rol të rëndësishëm: aroma jonë trupore është aq unike sa njerëzit mund të identifikojnë bluzat e djersitura të binjakëve identikë mes një grupi të huajsh.
Studimet tregojnë gjithashtu se aroma trupore mund të zbulojë informacion gjenetik për sistemin imunitar të një partneri të mundshëm. Gratë preferojnë aromën e burrave me profil HLA më të ndryshëm, çka mund të rezultojë në pasardhës me një rezistencë më të mirë ndaj sëmundjeve. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk zgjedhin partnerin bazuar në aromë, pasi kjo ndodh më shumë në mënyrë nënvetëdijshme.
Në jetën moderne, shqisa e nuhatjes ka humbur pjesërisht rolin e saj. “Ne kemi kaluar mijëra vite duke maskuar aromën tonë natyrore,” thotë Mahmut. Por edhe sot, aroma trupore mbetet një tregues i fuqishëm për shëndetin dhe gjendjen tonë biologjike.