Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gjatë vitit 2025, 425 pensionistë kanë paraqitur ankesa në Ministrinë e Financave, duke pretenduar se u është ndalur pensioni për shkak të moslajmërimit në Zyrat Pensionale brenda afatit ligjor prej nëntë muajsh.
Ministria e Financave ka konfirmuar vetëm numrin e ankesave të pranuara, ndërsa nuk ka dhënë të dhëna për numrin e përgjithshëm të pensionistëve që mund të kenë humbur pensionin, as për vlerën e mjeteve që nuk janë kthyer në mënyrë retroaktive. Sipas këtij institucioni, mjetet e papaguara mbesin në Buxhetin e Republikës së Kosovës.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka sqaruar se pensionistët që u janë suspenduar ose ndalur pagesat në mënyrë të paligjshme duhet fillimisht të ndjekin rrugën administrative për rifillimin e pagesës dhe, në rast refuzimi, edhe procedurën gjyqësore.
Sipas Ligjit për Skemat Pensionale, mosparaqitja nuk përbën bazë për ndërprerje të pensionit, por vetëm për suspendim të përkohshëm. Ndërkohë, një nen i Udhëzimit Administrativ që parashihte humbjen e pagesave pas riaplikimit është rrëzuar nga Gjykata Supreme.
Avokatë që përfaqësojnë pensionistë kanë bërë të ditur se për disa raste ndihma juridike ofrohet pa pagesë, duke inkurajuar pensionistët të kërkojnë realizimin e së drejtës së tyre.