Brad Pitt ka ndërmarrë një hap të ri në betejën ligjore me ish-bashkëshorten e tij, Angelina Jolie, duke kërkuar qasje në komunikimet e saj private përpara gjyqit të ardhshëm që ka në fokus verarinë e famshme franceze, Château Miraval.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Page Six”, aktori ka paraqitur një mocion në gjykatë për të detyruar Alexei Oliynik, një përfaqësues i kompanisë Stoli Group, të dorëzojë mesazhet që ka shkëmbyer me Jolie dhe të japë dëshmi lidhur me transaksionin e diskutueshëm të aksioneve.
Përpjekjet e Pitt për të siguruar këtë dëshmi nisën në qershor, por janë përplasur me refuzimin e Oliynik, i cili pretendon se si shtetas zviceran nuk ka detyrim ligjor për të dëshmuar në Kaliforni.
Sidoqoftë, ekipi ligjor i aktorit argumenton se dëshmia mund të merret nga distanca dhe se jurisprudenca në fjalë nuk e përjashton këtë rast.
Në padinë e dorëzuar më 30 qershor, Pitt akuzon Oliynik se ka vepruar në emër të CEO-s së Stoli Group, Yuri Shefler, dhe e konsideron atë një “dëshmitar kyç” në çështjen që ka nisur që prej vitit 2022.
Kujtojmë që Brad Pitt dhe Angelina Jolie e blenë së bashku Château Miraval gjatë kohës që ishin çift. Pas ndarjes, Jolie shiti aksionet e saj te Stoli Group – një veprim që Pitt e ka përshkruar si “hakmarrës” dhe të qëllimshëm për ta lënë jashtë kontrollit të pronës.
Ndërsa data e gjyqit ende nuk është përcaktuar, burime pranë Pitt theksojnë se mocioni synon të godasë një “sjellje të qëllimshme” nga ana e Stoli Group për të shmangur vendimet e mëparshme gjyqësore.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie u takuan në vitin 2004, u martuan në vitin 2014 dhe u divorcuan në vitin 2016, me finalizimin zyrtar të divorcit që ndodhi në dhjetor të vitit 2024 – pas një beteje të gjatë nëpër gjykata.