‘Diddy’ Combs është përballur me akuza të reja për kërcënim me vrasje ndaj një asistenteje dhe për planifikim të vrasjes së muzikantit Kid Cudi.
Këto akuza u ngritën gjatë një seance në Nju Jork, ku Capricorn Clark, e cila ka punuar si asistente e tij nga viti 2004 deri në 2012, dëshmoi se Combs e kishte kërcënuar kur mësoi se ajo kishte punuar më parë për rivalin e tij, Suge Knight.
“Më tha që nëse ndodhte diçka, do të duhej të më vriste,” dëshmoi ajo. Clark tha gjithashtu se në dhjetor 2011, Combs kishte shkuar i armatosur në shtëpinë e saj dhe i kishte kërkuar të shkonin për ta vrarë Kid Cudi, të cilin e lidhte me këngëtaren Cassie Ventura.
Ata kishin shkuar deri tek shtëpia e Cudit, por ai nuk ishte aty. Clark pretendon se ka telefonuar Cassie për ta paralajmëruar se Combs kishte shkuar me armë. Edhe Cassie Ventura dhe Kid Cudi kanë dëshmuar më herët në gjyqin ndaj Combs, i cili aktualisht përballet me akuza të rënda për trafikim seksual, shfrytëzim për prostitucion dhe krim të organizuar.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Gjyqi është ende në zhvillim.