Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministri i Drejtësisë në Francë, Gerald Darmanin, ka bërë të ditur ndërtimin e një burgu të ri me siguri të lartë në Guianën Franceze, i cili do të shërbejë për të strehuar trafikantët më të rrezikshëm të drogës dhe islamistët radikalë.
Sipas BBC-së, burgu pritet të ndërtohet në një vend të izoluar, në mes të xhunglës së Amazonës, me një kosto prej 400 milionë euro dhe kapacitet deri në 500 persona. Objekti mund të jetë funksional që nga viti 2028.
Ministri Darmanin theksoi se qëllimi kryesor është luftimi i krimit të organizuar “në të gjitha nivelet e zinxhirit të furnizimit me drogë”. Burgu do të ketë një regjim “jashtëzakonisht të rreptë”, i krijuar enkas për të ndaluarit më të rrezikshëm.
Ky vendim vjen pas një sërë incidentesh të dhunshme në burgjet franceze në muajt e fundit, ku janë sulmuar zyrtarë dhe stafe të sigurisë nga grupet kriminale.
Guiana Franceze, një territor francez në Amerikën e Jugut, ka status të barabartë me rajonet e tjera të Francës. Banorët e saj kanë të drejtë vote në zgjedhjet franceze, përfitojnë nga sigurimet shoqërore franceze dhe subvencione të ndryshme nga shteti francez.