Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do të ndërmarrë një rishikim të plotë të të gjitha green card-ave të lëshuara për imigrantët që vijnë nga 19 vende të konsideruara me rrezik të lartë. Lajmin e konfirmoi kreu i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow, i cili tha se presidenti ka kërkuar “një rishikim të gjithanshëm dhe rigoroz”.
Sipas USCIS, lista përfshin vendet e përmendura në një proklamatë të qershorit, mes tyre Afganistani, Kuba, Haiti, Irani, Somalia dhe Venezuela. Njoftimi vjen pas sulmit të së mërkurës në Washington DC, ku një shtetas afgan, Rahmanullah Lakanwal – i cili kishte ardhur në SHBA në vitin 2021 nën programin e veçantë për afganët – dyshohet se plagosi rëndë dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare.
Presidenti Trump e cilësoi këtë incident si “kërcënimin më të madh të sigurisë kombëtare”, duke akuzuar administratën e kaluar për politika të pakontrolluara të pranimit të imigrantëve.
Proklamata e qershorit përcaktonte se kufizimet ndaj disa vendeve lidhen me rreziqet e sigurisë, mungesën e kapaciteteve për verifikim, si dhe shkallën e lartë të tejkalimit të vizave. Për Afganistanin theksohej se vendi kontrollohet nga talibanët dhe nuk zotëron mekanizma të besueshëm të dokumentimit.
Përveç vendeve të përmendura, rishikimi do të përfshijë edhe shtetas nga Birmania, Çadi, Republika e Kongos dhe Libia. Ndërkohë, SHBA ka pezulluar përkohësisht procesimin e kërkesave të reja të imigrimit nga afganët, derisa të përfundojë vlerësimi i protokolleve të sigurisë dhe verifikimit.