Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) edhe sot po vazhdojnë grevën e përgjithshme për shkak të mos-marrjes së pagave, duke paralizuar funksionimin e transmetuesit publik.
Sindikalistët e SPERTK kanë deklaruar se punëtorët ndodhen në gjendje të rëndë sociale dhe se funksionimi i RTK-së është “rënduar në skaj”, duke e cilësuar situatën të papranueshme. Ata theksojnë se greva do të vazhdojë dhe u bëjnë thirrje të gjithë punëtorëve për mbështetje të plotë, duke e konsideruar këtë veprim si të drejtë dhe ligjor.
Kryetari i Sindikatës, Gëzim Bimbashi, ka thënë se ende nuk ka pasur asnjë sinjal nga institucionet për zgjidhjen e problemit. Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, nuk janë ndërmarrë hapa konkretë, ndërsa situata është përkeqësuar deri në atë pikë sa një pjesë e punëtorëve rrezikojnë të mos paraqiten më në punë.
Ai ka theksuar se RTK ka buxhetin më të ulët në rajon për një medium publik dhe vazhdon të funksionojë me më pak mjete sesa i takojnë ligjërisht. Bimbashi paralajmëron se mosveprimi institucional, përfshirë vonesat në miratimin e ligjit të ri për RTK-në, e ka futur transmetuesin publik në një krizë serioze.
Punëtorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe pagesën e pagave të prapambetura, duke nënvizuar se greva synon vetëm mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore.