
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministri i Brendshëm i Australisë, Tony Burke, ka konfirmuar të mërkurën se reperit amerikan Kanye West, i njohur gjithashtu si Ye, i është anuluar viza dhe i është ndaluar hyrja në vend, pas publikimit të këngës së tij të re të titulluar “Heil Hitler”, e cila sipas autoriteteve australiane promovon hapur ideologjinë naziste dhe glorifikon Adolf Hitlerin.
Kënga, e cila u publikua në fillim të muajit maj, erdhi pas një sërë deklaratash antisemite të West-it në rrjetet sociale, përfshirë fraza si “E dua Hitlerin” dhe “Jam nazist”, të cilat më parë i kishte ndarë në platformën X (ish-Twitter).
Edhe pse deklaratat e mëhershme nuk kishin sjellë ndonjë ndalim konkret, autoritetet australiane ndërhynë pas publikimit të këngës kontroverse. Në një intervistë për ABC News, ministri Burke deklaroi: “Nëse dikush pretendon se antisemitizmi është një ide e arsyeshme, nuk ka pse të hyjë në vendin tonë. Kanye ka ardhur më parë në Australi dhe ka bërë komente fyese, por pas publikimit të ‘Heil Hitler’, zyrtarët e mi rishqyrtuan rastin dhe vendosën se ai nuk duhet të ketë më vizë valide”.