Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean ‘Diddy’ Combs i njohur si P. Diddy, është shpallur i pafajshëm për akuzat më të rënda që rëndonin ndaj tij: komplot për krim të organizuar dhe trafikim seksual.
Artisti 55-vjeçar rrezikonte burgim të përjetshëm nëse do të dënohej për akuzën kryesore për krim të organizuar (racketeering conspiracy), shkruan
DailyMail.
Megjithatë, juria e përbërë nga tetë burra dhe katër gra e ka shpallur atë fajtor vetëm për “transport për prostitucion”, një shkelje e rëndë e Aktit Federal Mann në ShBA, e cila parashikon një dënim deri në 20 vjet burg.
Diddy u dënua për organizimin e udhëtimeve me avion për persona të ndryshëm, përfshirë ish-partneret e tij dhe punëtorë seksualë meshkuj të paguar, për qëllime të takimeve seksuale – një akt që përbën shkelje të ligjit federal.
Sidoqoftë, ai u lirua nga akuzat për trafikim seksual dhe komplot kriminal, të cilat lidheshin me pretendimet se kishte përdorur pasurinë, ndikimin dhe dhunën fizike për të manipuluar gratë në maratona seksuale nën ndikimin e drogës, me persona të tjerë.
Ndër personat që përmenden në akuzat fillestare ishin edhe ish-partneret e tij Cassie Ventura dhe një grua tjetër e njohur si Jane, për të cilat Diddy u shpall i pafajshëm.
Vendimi i jurisë u lexua në sallën e gjyqit ndërsa Diddy ndodhej i rrethuar nga avokatët e tij dhe familja e tij ishte e pranishme, duke pritur me ankth rezultatin.
Në sallë ishin edhe nëna e tij dhe motra, ndërkohë që gjashtë fëmijët e tij kishin dalë për pak çaste, por u kthyen sapo u bë e ditur se vendimi ishte marrë.
Diddy hyri në sallë me duart në formë lutjeje, duke shfaqur tensionin për vendimin që do t’i caktonte fatin.
E dashura aktuale e Diddy-t dhe nëna e fëmijës së tij më të vogël, Dana Tran, ishte gjithashtu e pranishme në gjykatë, së bashku me foshnjën e tyre të lindur në vitin 2023, të quajtur Love.
Në gjykatë ndodhej edhe ish-partnerja e parë e tij, Misa Hylton, një stiliste e njohur që ka punuar me emra të mëdhenj si Mary J. Blige dhe Lil’ Kim, e cila mbështeste djalin e tyre, Justin.
Fëmijët e tjerë të Diddy-t përfshijnë: Quincy (33 vjeç), Christian “King” (27), Chance (18), si dhe binjaket D’Lila dhe Jessie (18).
Nëna e Chance, Sarah Chapman, ishte gjithashtu në gjykatë të mërkurën.