
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
TOKIO, 12 maj - Prodhuesi japonez i automjeteve Nissan Motor do të shkurtojë edhe mbi 10,000 vende pune në të gjithë botën, duke e çuar numrin total të shkurtimeve, përfshirë ato të mëparshme, në rreth 20,000 punonjës, që përfaqësojnë 15% të fuqisë së tij punëtore, raportoi të hënën transmetuesi publik japonez NHK.
Kompania në vështirësi kishte paralajmëruar muajin e kaluar se do të regjistronte një humbje neto rekord prej 700 deri në 750 miliardë jenësh (rreth 4.74 deri në 5.08 miliardë dollarë amerikanë) për vitin financiar që përfundoi në mars, për shkak të humbjeve nga ulja e vlerës së aseteve.
Nissan – prodhuesi i tretë më i madh i automjeteve në Japoni – do të publikojë të martën rezultatet e tij vjetore financiare, por nuk komentoi mbi raportimin e NHK-së.
Kompania po përpiqet të bëhet më e qëndrueshme pas performancës së dobët në tregun e saj kryesor, Shtetet e Bashkuara, ku ka humbur terren për shkak të mungesës së modeleve hibride dhe një gamë të vjetëruar automjetesh.
Gjithashtu, Nissan po përballet me rënie të shitjeve në Kinë, ku synon të rikuperojë tregun me prezantimin e rreth 10 modeleve të reja gjatë viteve të ardhshme.
Kompania, e cila kishte mbi 133,000 punonjës deri në marsin e kaluar, kishte paralajmëruar më herët shkurtimin e 9,000 vendeve pune dhe uljen e kapacitetit global të prodhimit me 20%, si pjesë e një plani të gjerë ristrukturimi.