Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Google ka njoftuar një seri përditësimesh që përdorin inteligjencën artificiale për të identifikuar dhe ndaluar mashtrimet më shpejt dhe më saktë – duke përfshirë ato që nisin me dritare të rreme që pretendojnë se një pajisje është infektuar me virus.
Në qendër të këtij avancimi është përdorimi i modelit AI të quajtur Gemini Nano, që funksionon në vetë pajisjen e përdoruesit. Ky model skanon faqet e internetit në kohë reale kur përdoruesit klikojnë në to, dhe paralajmëron nëse faqja është e dyshimtë. Përparësia? Reagim më i shpejtë dhe më shumë privatësi për përdoruesit.
Google gjithashtu ka përmirësuar funksionin e mbrojtjes në Chrome, duke njoftuar përdoruesit e Android nëse po marrin njoftime nga faqe mashtruese dhe duke i lejuar të çregjistrohen automatikisht.
Në anën tjetër, Google Search ka trefishuar aftësitë e veta për të ndaluar përmbajtjen mashtruese. Në vitin 2024, vetëm për kërkimet që lidhen me kompanitë ajrore, është shënuar një rënie prej 80% në rezultatet mashtruese – falë përdorimit të inteligjencës artificiale për të identifikuar uebfaqe që paraqiten si shërbim klienti, por që synojnë të vjedhin informata personale apo para.
Sipas Google, këto masa janë përgjigje ndaj përhapjes masive të mashtrimeve që kanë sjellë humbje globale mbi 1 trilion dollarë vetëm vitin e kaluar. Kompani të tjera si Microsoft, O2 dhe madje edhe Thesari i SHBA-së po përdorin AI për të luftuar mashtrimet, duke dëshmuar se beteja kundër krimeve kibernetike po zhvendoset gjithnjë e më shumë në terrenin e inteligjencës artificiale.