Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pirja e rregullt e çajit dhe kafesë në temperatura shumë të larta mund të lidhet me rritje të rrezikut për kancer të ezofagut, sipas një studimi të realizuar nga Universiteti i Oksfordit.
Studimi përfshiu rreth 977 mijë persona dhe është ndër më të mëdhenjtë që kanë shqyrtuar lidhjen mes temperaturës së pijeve dhe këtij lloji të kancerit.
Sipas të dhënave, personat që konsumonin pije “shumë të nxehta”, rreth 65°C ose më shumë, kishin rreth tre herë më shumë rrezik krahasuar me ata që i konsumonin pijet në temperaturë më të ngrohtë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se rreziku i përgjithshëm për zhvillimin e këtij kanceri mbetet i ulët.
Sipas ekspertëve, lëngjet shumë të nxehta mund të dëmtojnë vazhdimisht shtresën e qelizave të ezofagut gjatë kalimit drejt stomakut.
Studiuesit gjithashtu gjetën se konsumimi i gjashtë ose më shumë pijeve të nxehta në ditë lidhej me rritje të rrezikut.
Këshilla kryesore është e thjeshtë: prisni disa minuta pasi ta përgatisni çajin apo kafenë, në mënyrë që pija të ftohet para se ta konsumoni.
Ekspertët theksojnë se faktorë të tjerë, si pirja e duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit, kanë ndikim më të madh në rrezikun për kancer të ezofagut.
Studimi nuk përcakton një kohë të saktë se sa duhet pritur para konsumimit të një pijeje të nxehtë. Rekomandimi është që pija të pihet kur temperatura të jetë e rehatshme dhe jo përvëluese.