Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Me nisjen e vitit të ri shkollor, në 16 shkolla të Prishtinës ka nisur zbatimi i modelit të mësimit tërëditor, por mënyra e organizimit ka nxitur diskutime mes prindërve dhe akterëve të arsimit.
Prindërve u është kërkuar të nënshkruajnë deklaratë për të treguar nëse fëmijët e tyre do të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të mësimit të rregullt. Pjesa e dytë e ditës parashihet të përfshijë aktivitete zgjedhore dhe jashtëkurrikulare, por sipas Komunës së Prishtinës, kjo pjesë nuk është e obligueshme.
Disa prindër kanë shprehur shqetësim për qëndrimin e gjatë të fëmijëve në shkollë, sidomos për nxënësit më të vegjël, ndërsa të tjerë kanë ngritur shqetësimin për mundësinë e krijimit të dallimeve mes nxënësve që qëndrojnë dhe atyre që largohen pas mësimit të rregullt.
Nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës është kritikuar mënyra e zbatimit të këtij modeli, duke u thënë se shkollat nuk kanë ende infrastrukturën e nevojshme për një organizim të plotë.
Edhe ekspertë të arsimit kanë vlerësuar se fakti që mësimi tërëditor është bërë zgjedhje për prindërit mund të ndikojë në realizimin e qëllimit të kësaj reforme.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka sqaruar se deklarata e prindërve është bërë për qëllime organizative, pasi pjesa e dytë e ditës kërkon planifikim të shujtave, stafit dhe aktiviteteve.
Sipas Drejtorisë së Arsimit, aktivitetet pas mësimit të rregullt nuk janë të detyrueshme dhe nuk ndikojnë në vlerësimin e nxënësve.