Seriali i ri horror “The East Palace” është kthyer në një nga produksionet më të ndjekura të Netflix, duke marrë vlerësime të larta nga publiku për atmosferën e errët, misterin dhe elementet e folklorit korean.
Ngjarja ndjek Gu-cheon, i luajtur nga Nam Joo-hyuk, një burrë me aftësinë për të parë fantazma, i cili thirret në pallatin mbretëror për të hetuar një seri vdekjesh misterioze të trashëgimtarëve të fronit. Në këtë mision ai bashkohet me Saeng-gang, e interpretuar nga Roh Yoon-seo, ndërsa të dy përballen me sekrete të errëta dhe forca mbinatyrore.
Seriali ndërthur dramën historike me horrorin psikologjik dhe mitologjinë koreane, duke sjellë në ekran krijesa legjendare dhe një atmosferë plot tension. Kritikat pozitive janë përqendruar edhe te realizimi vizual, skenografia, kostumet tradicionale dhe efektet speciale.
Me kombinimin e historisë, misterit dhe elementeve të frikës, “The East Palace” po konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha të Netflix-it këtë vit dhe një zgjedhje ideale për adhuruesit e serialeve horror.