Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Maturantët në Kosovë kanë nisur aplikimin për Provimin e Maturës Shtetërore, procedurë që këtë vit po realizohet përmes platformës elektronike dhe duhet të përfundojë deri më 12 qershor.
Anisa Rrukiqi, maturante në shkollën “Sami Frashëri” në Prishtinë, ka treguar se aplikimi ka qenë i thjeshtë dhe pa vështirësi. Sipas saj, nxënësit janë udhëzuar më herët për hapjen e llogarive në e-Kosova, në mënyrë që të shmangen problemet nga mbingarkesa e sistemit.
Këtë vit, mbi 20 mijë nxënës që kanë përfunduar shkollën e mesme duhet ta kryejnë aplikimin, ndërsa në fuqi ka hyrë edhe ligji i ri për Provimin e Maturës Shtetërore.
Ligji parasheh masa disiplinore dhe gjoba nga 1 mijë deri në 20 mijë euro për shkeljet gjatë procesit të testimit, përfshirë lejimin e kopjimit apo keqpërdorimeve gjatë provimit.
Punëtorët e arsimit kanë mirëpritur këto masa, megjithatë njohës të arsimit vlerësojnë se vetëm ndëshkimet nuk mjaftojnë për të eliminuar parregullsitë, duke theksuar nevojën për organizim dhe menaxhim më të mirë institucional të procesit.