Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Autoritetet ruse kanë nisur kufizimin e qasjes në aplikacionin Telegram, duke e akuzuar platformën për mosrespektim të ligjeve vendore dhe për dështim në heqjen e përmbajtjeve që konsiderohen “kriminale dhe terroriste”.
Rregullatori i telekomunikacionit, Roskomnadzor, deklaroi se masat do të mbeten në fuqi derisa, sipas tij, shkeljet e ligjit rus të eliminohen. Agjencia shtetërore e lajmeve TASS raportoi se Telegram përballet me gjoba prej 64 milionë rubla për mosheqjen e përmbajtjeve të ndaluara.
Pas hyrjes në fuqi të kufizimeve, mijëra përdorues në Rusi raportuan ndërprerje dhe ngadalësim të aplikacionit.
Telegram është ndër aplikacionet më të përdorura në vend, përfshirë nga zyrtarë shtetërorë, media publike dhe institucione qeveritare. Themeluesi i platformës, Pavel Durov, deklaroi se përpjekjet për ta kufizuar aplikacionin do të dështojnë, duke theksuar se Telegram mbetet i përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe privatësisë.
Ndërkohë, qeveria ruse po promovon aplikacionin shtetëror “Max”, i cili tashmë kërkohet të instalohet paraprakisht në pajisjet e reja të shitura në Rusi, si pjesë e përpjekjeve për të orientuar përdoruesit drejt platformave të kontrolluara nga shteti.