Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Alphabet, kompania mëmë e Google, ka emetuar një obligacion korporativ me afat maturimi 100-vjeçar – një instrument financiar i rrallë në tregjet globale.
Obligacioni është pjesë e një pakete huamarrjeje shumë-miliardëshe, me të cilën kompania synon të financojë zgjerimin agresiv në fushën e inteligjencës artificiale. Google ka paralajmëruar se do të dyfishojë shpenzimet për AI këtë vit, duke i çuar ato në rreth 185 miliardë dollarë.
Megjithëse kompania disponon mbi 126 miliardë dollarë likuiditet dhe gjeneron më shumë se 73 miliardë dollarë fluks të lirë monetar në vit, ajo ka zgjedhur tregun e borxhit për të siguruar kapital shtesë.
Sipas raportimeve të Bloomberg, Alphabet ka ngritur afro 32 miliardë dollarë brenda 24 orësh, ndërsa obligacioni 100-vjeçar ka qenë pothuajse dhjetë herë i mbingarkuar nga kërkesa e investitorëve.
Obligacionet me maturim një shekullor janë të rralla, pasi pak kompani arrijnë të mbijetojnë kaq gjatë. Megjithatë, besimi i tregut në fuqinë financiare dhe dominimin e Google në sektorin teknologjik duket se ka qenë vendimtar për suksesin e ofertës.