Një ngjarje e pazakontë ka tronditur rrjetet sociale: YouTuberi Nico Grigg ka pretenduar se ka hyrë fshehurazi në ishullin Little Saint James, pronë e dikurshme e Jeffrey Epstein në Ishujt e Virgjër Amerikanë. Ai tha se pas publikimit të pamjeve është ndjekur nga automjete SUV me xhama të zinj pranë banesës së tij.
Grigg tregoi se fillimisht u përpoq të afrohej me mjet lundrues, por u ndalua nga persona që patrullonin zonën me makina golfi. Në një përpjekje të dytë, ai dhe shokët e tij arritën të zbarkonin për pak minuta në breg, por u tërhoqën pasi njëri prej tyre u lëndua nga një iriq deti.
Pas publikimit të videos, ai deklaroi se për disa ditë ka parë automjete të errëta të parkuara pranë shtëpisë së tij dhe se ka njoftuar autoritetet për situatën, duke publikuar edhe fotografi të mjeteve që pretendon se e kanë ndjekur.
Ishulli, i njohur gjerësisht për akuzat e rënda ndaj Epstein, është blerë dy vite më parë nga biznesmeni Steven Deckoff, me plane për ta shndërruar në një resort luksoz me 25 dhoma. Megjithatë, autoritetet lokale kanë deklaruar se deri më tani nuk është paraqitur asnjë projekt zhvillimi i miratuar.
Ky rrëfim ka shtuar edhe më shumë misterin rreth ishullit famëkeq, duke ndezur debat mbi sigurinë dhe monitorimin e tij, pavarësisht se është i braktisur që prej vitit 2019.