Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Dy herë brenda pak ditësh, KESCO ka nominuar energji elektrike më pak sesa kërkesa reale e konsumit, duke e vënë në rrezik stabilitetin e sistemit elektroenergjetik në Kosovë. Si pasojë, konsumatorët janë përballur sërish me reduktime të rrymës.
Sipas parashikimeve të KOSTT-it, kërkesa për energji në orët e pikut arrin rreth 1.400 megavat-orë, ndërsa prodhimi vendor është rreth 600 megavat-orë, çka nënkupton se mbi 800 megavat-orë duhet të sigurohen përmes importit.
KOSTT ka bërë të ditur se më 20 janar 2025, KESCO ka nominuar rreth 26 për qind më pak energji sesa kërkesa reale, duke krijuar jobalanca që në disa orë kanë tejkaluar 260 megavat-orë. Sipas këtij institucioni, situata cenon stabilitetin e sistemit dhe është e papranueshme.
Nga KESCO kanë deklaruar se temperaturat e ulëta dhe përdorimi i energjisë për ngrohje kanë rritur ndjeshëm konsumin, ndërsa mundësitë për import janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit.
Ndërkohë, KOSTT, KESCO dhe KEK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike gjatë kësaj periudhe, me qëllim të ruajtjes së sigurisë energjetike.