Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Viti 2025 ka qenë një nga më sfiduesit për bizneset në Kosovë, i karakterizuar nga rritja e çmimeve, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe largimi i kapitalit investues. Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), gjatë këtij viti janë mbyllur 4,000 deri në 4,500 biznese në mbarë vendin.
Një studim i AKB-së tregon se mbyllja e bizneseve lidhet me humbjen e konkurrencës në treg, mungesën e mbështetjes financiare, politikat fiskale jo të favorshme si dhe vështirësitë në marrjen e kredive bankare për shkak të interesave të larta.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike është shndërruar në një nga problemet kryesore për bizneset, ndryshe nga vitet e kaluara.
Nga ana tjetër, Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka sqaruar se bizneset janë prekur rëndë nga rritja prej 16.1% e çmimit të energjisë dhe nga liberalizimi i tregut, duke rritur kostot e prodhimit dhe faturat mujore, si dhe duke shkaktuar dëme nga reduktimet e paparalajmëruara të energjisë.
Sipas ekspertëve, masat dhe rritjet e kostove kanë goditur më së shumti bizneset e vogla dhe mikrondërmarrjet, veçanërisht tregtinë e vogël, gastronominë dhe bizneset familjare. Një trend shqetësues mbetet edhe zhvendosja e kapitalit investues jashtë Kosovës, kryesisht drejt vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
AKB vlerëson se edhe vendimi për pagën minimale, i marrë pa konsultim me bizneset, ka pasur ndikim negativ, duke shtyrë disa biznese drejt informalitetit dhe mbylljes.