Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
McDonald’s ka hequr nga qarkullimi reklamën e saj të Krishtlindjes të realizuar me inteligjencë artificiale (AI), pas kritikave të forta në rrjetet sociale.
Reklama 45-sekondëshe, e publikuar më 6 dhjetor në kanalin zyrtar të McDonald’s Holandë në YouTube, ishte krijuar duke përdorur klipe të gjeneruara me AI. Pas reagimit të publikut – ku shumë e cilësuan reklamën si “të frikshme” dhe “të montuar keq” – kompania vendosi ta fshijë videon më 9 dhjetor.
Në një deklaratë për BBC News, McDonald’s Holandë tha se kjo situatë përbën “një mësim të rëndësishëm” ndërsa kompania po eksploron mënyra të reja për përdorimin e AI në marketing. Reklama ishte prodhuar nga agjencia holandeze TBWANeboko në bashkëpunim me studion amerikane The Sweetshop.
Videoja paraqiste situata stresuese gjatë festave, me sloganin “Koha më e tmerrshme e vitit”, duke sugjeruar se momentet ishin më të mira në shoqërinë e McDonald’s. Megjithatë, shumë shikues kritikuan pamjen joreale të personazheve dhe numrin e madh të klipeve të kombinuara, duke e quajtur reklamën “të çuditshme” dhe “të frikshme”.
Të tjerë shprehën shqetësime për ndikimin e AI në punësim, duke theksuar se përdorimi i teknologjisë mund të zëvendësojë aktorë dhe ekipe xhirimi.
CEO e The Sweetshop, Melanie Bridge, e mbrojti projektin, duke deklaruar se prodhimi zgjati shtatë javë dhe përfshiu “mijëra xhirime” të përpunuara njësoj si në produksionet tradicionale, duke shtuar se “kjo ishte një film, jo thjesht një truk me AI”.
Reklamat e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht gjatë sezonit të festave, me marka si Coca-Cola që kanë pasur reagime më pozitive nga publiku. Megjithatë, raste të tjera – përfshirë fushata të shtëpisë luksoze Valentino – kanë marrë kritika të ashpra për atë që është quajtur përdorim “i lirë dhe dembel” i teknologjisë.