Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka organizuar sot një sërë aktivitetesh dedikuar ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të kujdesit për personat me diabet.
Në kuadër të programit është mbajtur tryeza e rrumbullakët me moton “Diabeti në të gjitha etapat e jetës”, ku morën pjesë zëvendësministrja në detyrë e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, si dhe profesionistë shëndetësorë nga fusha e endokrinologjisë dhe diabetologjisë.
Po ashtu, ShSKUK përmes Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri ka organizuar Simpoziumin e Tretë të Diabetologjisë, një ngjarje që synon shkëmbimin profesional dhe përmirësimin e qasjes ndaj trajtimit të pacientëve me diabet.
Në Ditën Botërore të Diabetit u prezantuan të dhëna rreth numrit të pacientëve me Diabet Melit që trajtohen në QKUK, shërbimet e ofruara në Klinikën e Endokrinologjisë, si dhe planet dhe rekomandimet për avancimin e trajtimit dhe menaxhimit të kësaj sëmundjeje kronike.
Në shenjë simbolike, IKSHPK ka ndriçuar ndërtesën me ngjyrë të kaltër, ngjyrë që përfaqëson simbolin global të ndërgjegjësimit për diabetin. Ky simbol, i miratuar nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në vitin 2007, përfaqëson unitet dhe shpresë për një botë më të shëndetshme, në përballje me një sëmundje që prek miliona njerëz në mbarë botën.