Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Botës për Klube ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Real Madridit do të luhet sonte në stadiumin “MetLife” në New Jersey, në një përballje që përveç prestigjit dhe synimit për një vend në finale, mbart edhe një rëndësi të jashtëzakonshme financiare.
Fituesi i këtij dueli do të përfitojë plot 30 milionë euro, një shumë marramendëse që e bën edhe më të zjarrtë betejën mes dy gjigantëve të futbollit evropian.
Në rast triumfi, Real Madrid do ta çojë totalin e fitimeve nga ky turne në mbi 110 milionë euro, ndërsa PSG, nëse siguron kualifikimin, do të arkëtojë afro 100 milionë euro nga pjesëmarrja në këtë garë.
Ndeshja konsiderohet nga shumë si një “finale para finales”, për shkak të statusit të dy skuadrave: PSG është kampioni aktual i Evropës, ndërsa Real Madrid mbetet klubi më i dekoruar në historinë e futbollit evropian.
Në çerekfinale, të dy ekipet eliminuan përfaqësues të Bundesligës: PSG mposhti Bayern Munich me rezultat 2-0, ndërsa Real Madridi eliminoi Borussia Dortmundin me shifrat 3-2.
Gjithçka është gati për një spektakël futbolli në New Jersey, aty ku pritet të përcaktohet se kush do të sfidojë fituesin e gjysmëfinales tjetër në finalen e madhe.