Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Tregtisë e Kinës ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Uashingtoni e ka "shkelur rëndë" marrëveshjen e arritur muajin e kaluar në Gjenevë, ku të dy vendet ranë dakord të ulin tarifat për mallrat e importuara nga njëra-tjetra.
Sipas Pekinit, SHBA ka ndaluar shitjen e softuerëve për dizajn të çipave për kompanitë kineze, ka paralajmëruar kompanitë amerikane të mos përdorin çipat e gjigantit teknologjik kinez Huawei, dhe ka anuluar vizat për studentët kinezë. Kina thotë se këto veprime bien ndesh me konsensusin e arritur gjatë një telefonate në janar mes liderit kinez Xi Jinping dhe Presidentit amerikan Donald Trump.
Nga ana tjetër, Trump ka akuzuar Kinën se "ka shkelur totalisht marrëveshjen" duke mos hequr barrierat jotarifore të premtuara. Për këtë arsye, javën e kaluar, ai ka vendosur të dyfishojë tarifat për çelikun dhe aluminin amerikan – nga 25% në 50%, duke theksuar se ky hap do të ndihmojë industrinë e brendshme dhe do të reduktojë varësinë nga Kina.
Megjithëse tensionet janë rritur, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë sugjeruar se Presidenti Trump dhe Xi Jinping mund të zhvillojnë një tjetër bisedë këtë javë për të diskutuar më tej detajet e marrëveshjes. Siç theksojnë analistët, marrëveshjet e tilla duken të brishta dhe rruga drejt një zgjidhjeje afatgjatë duket ende e vështirë.