Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qeveria italiane ka miratuar këtë javë një ligj që ndalon marrjen e shtetësisë italiane përmes stërgjyshërve, duke i zhgënjyer mijëra persona në mbarë botën që kanë investuar kohë dhe para për të nisur procesin.
Ligji i propozuar nga qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni në mars, hyri në fuqi të martën dhe ndalon aplikimet për shtetësi përmes gjakut (jus sanguinis) për ata që nuk kanë prind ose gjysh italian. Kjo përjashton automatikisht miliona persona që mbështeteshin në lidhjen familjare me stërgjyshërit e tyre.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, rreth 80 milionë persona në botë janë me origjinë italiane. Për shumë prej tyre, që tashmë kishin përgatitur dokumentet, përkthimet dhe noterizimet, kjo është një goditje e rëndë.
Alternativa e vetme për ta është të zhvendosen në Itali dhe të aplikojnë për shtetësi pas një periudhe banimi ligjor – aktualisht 10 vjet. Por kjo rrugë është gjithashtu vështirësuar nga rregullat e reja të vizave për qytetarët jashtë BE-së.
Situata mund të ndërlikohet edhe më tej: më 8 dhe 9 qershor, qytetarët italianë do të votojnë për një referendum që mund të përgjysmojë periudhën e banimit të kërkuar nga 10 në 5 vjet. Megjithatë, pritet që ky referendum të dështojë. Nëse kjo ndodh, mund të pasojë një referendum tjetër që do ta shtonte periudhën e nevojshme në 12 vjet.
Aplikantët për shtetësi përmes rezidencës duhet të dëshmojnë të ardhura minimale, të kenë certifikata të pastërtisë penale nga çdo vend ku kanë jetuar, dhe të kalojnë testin e gjuhës italiane. Këto kushte nuk vlejnë për ata që aplikojnë përmes prejardhjes, por tash kjo rrugë është mbyllur për shumë njerëz.
Agjencitë që ndihmojnë aplikantët, si “Smart Move Italy”, e kanë quajtur ndryshimin e ligjit si “lajm katastrofik”. Shumë klientë, përveç që kishin planifikuar të investonin në Itali, kishin qëllim edhe të lidhnin jetën me rrënjët e tyre kulturore.
Për ata që tashmë kanë nisur procesin bazuar në stërgjysh, opsioni i vetëm mund të jetë sfidimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese të Italisë – një proces i gjatë, i kushtueshëm dhe pa garanci suksesi.