Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Refuzimi i vizave Shengen po rezulton jo vetëm një pengesë për lëvizje të lirë, por edhe një barrë ekonomike për qytetarët e shteteve afrikane. Një shembull është Joel Anyaegbu nga Nigeria, i cili pasi u refuzua dy herë për një vizë drejt Spanjës – pavarësisht dokumenteve të plota dhe dëshmive të pronësisë – humbi takime të rëndësishme dhe para të konsiderueshme.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, vetëm gjatë vitit të kaluar janë refuzuar mbi 50 mijë aplikime për viza në Nigeri – afërsisht gjysma e totalit të aplikimeve. Çdo aplikant paguan 90 euro për aplikim, shumë kjo që nuk rimbursohet, duke çuar humbjen totale në mbi 5 milionë euro për Nigerinë dhe mbi 60 milionë euro për kontinentin afrikan.
Organizata kërkimore britanike LAGO Collective, e cila analizon politikat e vizave, thekson se refuzimet janë më të larta në shtetet me zhvillim më të ulët ekonomik – me shkallë refuzimi prej 40 deri në 50 për qind për vende si Nigeria, Gana e Senegali. Kjo, sipas ekspertëve, flet për një trajtim të padrejtë dhe diskriminues në procesin e shqyrtimit të aplikimeve.
Edhe pse Bashkimi Evropian deklaron se çdo aplikim shqyrtohet individualisht, shumë qytetarë afrikanë që janë refuzuar, madje edhe pas udhëtimeve të mëparshme në Evropë, shprehin zhgënjimin për mungesën e transparencës dhe pamundësinë për të kuptuar arsyet konkrete të refuzimit.
Ndërkohë, tarifat e vizave vazhdojnë të rriten – për Shengen, nga 80 në 90 euro që nga korriku 2024, dhe për Mbretërinë e Bashkuar, nga 100 në 127 paund brenda një viti – duke thelluar edhe më shumë barrën ekonomike për ata që vetëm duan të udhëtojnë për punë, edukim apo turizëm.