Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Travis Scott, një ndër emrat më të mëdhenj të skenës hip-hop, ka qenë shkaktar i një gjobe prej 20,000 dollarësh për organizatorët e festivalit Coachella, për shkak të tejkalimit të orarit të lejuar për performancë.
Sipas burimeve të TMZ, Travis u ngjit në skenë me pak minuta vonesë, pasi Green Day – të cilët performuan para tij – kishin pasur probleme me fishekzjarrët dhe kishin zgjatur setin e tyre rreth 15 minuta. Kjo ndikoi që Travis të fillonte pesë minuta më vonë se orari zyrtar.
Performanca e tij, e kuruar me detaje nën temën "Cactus Jack", ishte padyshim një ndër më të pritshmet dhe të diskutuara të Coachella-s, dhe përfshiu premierën e dy këngëve të reja: “Dumb” dhe “Kick Out”, të cilat pritet të jenë pjesë e projektit të ardhshëm “Jackboys 2”.
Megjithatë, shtyrja e orarit nuk kaloi pa pasoja: qyteti i Indio, ku mbahet festivali, ka vendosur një tarifë prej 20,000 dollarësh për çdo shkelje të afatit të orës policore (curfew). Marrëveshja e Coachella-s me qytetin e Indio-s parashikon dënime të tilla që shkojnë edhe më lart – përtej 5 minutave të para, çdo minutë shtesë kushton 1,000 dollarë. Kjo ishte e vetmja gjobë që u dha për të dyja fundjavat e Coachella-s dhe festivalin tjetër, Stagecoach.
Kjo marrëveshje mes Goldenvoice dhe qytetit të Indio-s është aktive që nga viti 2013 dhe zgjat deri në vitin 2050, duke i dhënë më shumë fleksibilitet festivaleve për orarin, por gjithsesi duke vendosur rregulla të qarta për t’u respektuar.
Të ardhurat nga këto gjoba shkojnë në fondin e përgjithshëm të qytetit, që mbulon shpenzime të tilla si mirëmbajtja publike, policia dhe zjarrfikësit.