
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ndërsa disa kompani ajrore si American Airlines, United dhe Qatar po heqin dorë nga klasa e parë, duke e zëvendësuar me versione më të sofistikuara të klasës së biznesit, të tjera po investojnë fuqishëm për ta bërë këtë përvojë edhe më luksoze dhe ekskluzive.
Lufta mes efikasitetit dhe luksit:
Sipas ish-drejtorit të të ardhurave të American Airlines, Vasu Raja, arsyeja është e thjeshtë: “Klasa e parë nuk po shitet.” Megjithatë, gjigandë si Emirates, Lufthansa dhe Air France po ndjekin një rrugë të kundërt, duke e konsideruar këtë segment si një hapësirë ku diferencimi dhe përvoja unike bëjnë diferencën.
Edhe pse vetëm 3% e pasagjerëve udhëtojnë në klasa premium, ato gjenerojnë rreth 15% të të ardhurave të linjave ajrore. Lufthansa ka nisur zbatimin e produktit të ri Allegris, një investim prej 2.5 miliardë eurosh që ofron suita private, me mure pothuajse deri në tavan, kontroll të personalizuar të ndriçimit, temperaturës dhe sistemit të argëtimit.
Nga ana tjetër, Air France ka prezantuar versionin e ri të La Première, që ofron përvojë “sa më pranë një avioni privat”, me shërbim të personalizuar dhe luks në çdo hap të udhëtimit.
Në fluturimet me Allegris, pasagjerët përballen me ambiente që më shumë ngjajnë me një dhomë ndenjeje se sa me një kabinë avioni. Shërbimi përfshin menu gourmet, pajisje luksoze dhe detaje dizajni që synojnë rehati dhe privatësi maksimale.
Përkundër ambicieve të mëdha, linjat ajrore përballen me sfida të mëdha logjistike. Vonesat në dërgesat e avionëve të rinj dhe certifikimi i ulëseve të reja kanë zvarritur implementimin e plotë të klasës së parë të re në shumë avionë. Lufthansa pret që deri në vitin 2026, vetëm 30% e flotës së saj të gjatë do ta përfshijë Allegris.
Sipas analistëve të industrisë, për kompanitë që nuk investojnë në këtë segment, ekziston rreziku që klientët më të vlefshëm të kalojnë tek konkurrenca. Edhe nëse numri i pasagjerëve të klasës së parë është i vogël, ndikimi i tyre në imazhin dhe fitimin e kompanive është i madh.