Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Si të komunikojmë me adoleshentët?

Të Tjera  |  04.11.2024 Ora 9:51   
 Për të gjithë ne, adoleshenca do mbetet periudha e ndryshimeve të mëdha. Ndryshimi gjatë kësaj periudhe nuk bëhet në një drejtim, por në shumë drejtime. Krahas ndryshimeve fizike që vihen re, përjetohen dhe ndryshimet emocionale e mendore, të cilat pasqyrohen me anë të reagimeve.

Tani na duket sikur i kemi harruar ato ditë, të cilat mendonim se nuk do të mbaronin kurrë. Fëmijët tanë duket se po kalojnë në rrugët e kaluara më parë prej nesh; sa më mirë t’i kuptojmë ata, aq më të lumtur e të shëndetshëm do ta kalojnë periudhën e adoleshencës.

Adoleshenca është periudha e marrëdhënieve të forta shoqërore

Fjala e urtë “Më thuaj me kë rri, të të them kush je”, i përshtatet më shumë kësaj periudhe. Adoleshentët që nuk kanë arritur ende pjekurinë e duhur, janë të hapur ndaj ndikimit të shoqërisë. Mund të bëhen pjesë e çfarëdolloj mjedisi vetëm për të fituar aprovimin dhe pëlqimin e të tjerëve, sepse vlera më e rëndësishme është të pranohesh nga grupi.

Fëmijët e pavlerësuar në familje janë më të prirur për sjellje të tilla. Nëse ne nuk i vlerësojmë siç duhet fëmijët tanë dhe nuk i bëjmë të ndihen të rëndësishëm, atëherë ata do ta kërkojnë vendin ku të ndihen të tillë. Ndonjëherë familja mund ta vlerësojë fëmijën, por për shkak të mungesës së komunikimit apo problemeve të tjera në familje ai mund të zgjedhë një grup të gabuar shoqëror. Për këtë arsye komunikimi i brendshëm familjar luan një rol kyç gjatë adoleshencës. Në këtë periudhë prindërit duhet të informohen rreth shokëve të fëmijës, familjeve të tyre dhe të thurin një komunikim të shëndetshëm me fëmijët  e tyre. Të mos ia kritikojmë direkt shokët duke marrë parasysh vlerësimin që fëmijët kanë për ta. Nëse nuk ndiheni të sigurt apo keni përshtypje jo të mira për shoqërinë e fëmijës suaj, atëherë duhet të krijoni hapësirat e duhura për t’i ftuar në shtëpi në mënyrë që të kalojnë kohë së bashku. Gjithmonë duhet t’ua themi se janë shumë të rëndësishëm për ne, që kërkojmë më të mirën për ta dhe se do jeni vazhdimisht pranë tyre.

Adoleshenca është pavarësi

Në këtë periudhë ku fëmijëria lihet pas dhe hidhen hapat e parë drejt pjekurisë, adoleshentëve nuk u pëlqen të trajtohen si fëmijë. Ata do të ndihen mirë e të kënaqur nëse këtë ndjeshmëri do të arrijmë ta pasqyrojmë në fjalët dhe sjelljet tona. Në këtë periudhë ata dëshirojnë ta provojnë shijen e sukseseve të arritura individualisht dhe të mësojnë çfarë mund të bëjnë. Neve na takon t’i stimulojmë dhe lavdërojmë. Le të dëgjojmë thirrjet e pavarësisë. Por këtu nuk them t’i lëmë të pavarur pa kufi.

Fëmijët nuk duhet t’i lëmë krejtësisht të lirë në asnjë moment. Prindërit e kanë për detyrë të vendosin kufijtë, ndërsa pjesëtarët e familjes t’i njohin e respektojnë ato. Rregullat e vendosura sipas qejfit të fëmijës apo prindit nuk do të kënaqin të dyja palët dhe për këtë arsye nuk do të zbatohen asnjëherë. Në rastin e parë, pala e pakënaqur, pra adoleshentët, do të gjejnë mundësinë t’i thyejnë ato. Rregullat më të shëndetshme janë ato të vendosura së bashku e të pajisura me kufizimet përkatëse.

Si mund të zgjidhen problemet gjatë adoleshencës?

Në të vërtetë problemet brenda familjes nuk përjetohen vetëm gjatë adoleshencës. Fëmija mund të ketë probleme komunikimi me familjen që në fëmijëri. Por ne themi se efektet negative të mungesës apo çrregullimeve të komunikimit pasqyrohen më tepër në adoleshencë. Nëse dashuria, respekti dhe qetësia mbizotërojnë në një familje, atëherë adoleshenti do të ushqehet me to. Një fëmijë i cili ka një komunikim të shëndetshëm me prindërit e tij mund të ndajë lehtësisht edhe problemet e adoleshencës. Nuk lëshon pé në pranimin apo aprovimin e shokëve, sepse ndihet i vlerësuar brenda familjes. Mund të marrë mbështetjen e prindërve apo vëllezërve. Por përsëri është krejt normale të përjetojë ngritjet dhe zbritjet e kësaj periudhe. E rëndësishme është të gjenden mënyrat e komunikimit dhe zgjidhjes së problemeve. Një komunikim i mirë është pika më e rëndësishme në lehtësimin e problemeve të adoleshentit.

Disa këshilla për një komunikim efektiv:

Fëmijët duhet ta ndjejnë dashurinë tuaj;

Hiqni dorë nga tregimi material i dashurisë dhe përjetoni dashurinë emocionale;

Mbani një qëndrim të drejtë përballë sjelljeve të gabuara të fëmijës;

Jetoni duke mos harruar se jeni modeli kryesor i fëmijës suaj;

Nëse dëshironi të komunikoni, mësoni të bëheni një dëgjues i mirë;

Dëgjoni pa bërë komente, pa kritikuar dhe pa dhënë këshilla;

Përfshini dhe fëmijët në vendosjen e rregullave në familje;

Tregoni vlerësimin tuaj për të gjithë pjesëtarët e familjes kur merrni një vendim dhe diskutoni bashkë;

Mbani një qëndrim të vetëm me bashkëshortin tuaj gjatë edukimit të fëmijës.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Të Tjera

Marketing