Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë ndikuar në rritjen e shpejtë të nivelit të ujit në Liqenin e Batllavës dhe Badocit. Sipas matjeve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, niveli i ujit në të dyja liqenet është rritur nga 2.5 deri në 3 metra gjatë javës së kaluar.
Kjo rritje e menjëhershme, e shoqëruar me shtim të turbullirës, ka ndikuar në cilësinë e ujit në Liqenin e Badocit, ku uji vazhdon të mos jetë i pijshëm. Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka bërë të ditur se cilësia e ujit po monitorohet vazhdimisht në bashkëpunim me IKSHPK-në dhe se situata pritet të stabilizohet së shpejti.
Ndërkohë, reshjet kanë nxjerrë në pah edhe një problem serioz mjedisor në Liqenin e Badocit. Sasi të mëdha mbeturinash, kryesisht shishe plastike, janë grumbulluar përgjatë brigjeve, duke ndotur rëndë këtë zonë. Banorët dhe vizitorët fajësojnë mungesën e vetëdijesimit qytetar për këtë situatë.
Ekspertët mjedisorë paralajmërojnë se ndotja jo vetëm që dëmton pamjen dhe vlerën rekreative të liqenit, por paraqet rrezik edhe për ekosistemin dhe cilësinë e ujit të pijshëm, duke theksuar nevojën për menaxhim më të mirë institucional dhe ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve.