Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkollor u shoqërua me probleme në disa komuna të Kosovës, si pasojë e vërshimeve, mungesës së ngrohjes dhe telasheve me energjinë elektrike. Në Prishtinë, prindërit raportuan se nxënësit u përballën me klasa të ftohta, për shkak se ngrohja nuk ishte aktivizuar me kohë.
Sipas Këshillit të Prindërve, ankesat kanë qenë të shumta, veçanërisht në shkollat e fshatrave, por edhe në disa shkolla të kryeqytetit. Probleme të ngjashme u evidentuan edhe në Komunën e Vitisë, ku u raportua për ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa në Rahovec mësimi u pezullua në disa shkolla për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me rrymë.
Njohësit e arsimit vlerësojnë se nisja e vitit shkollor në këto kushte mund të ketë ndikim negativ në cilësinë e mësimit dhe kërkojnë që drejtoritë komunale të arsimit të marrin masa parandaluese, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten. Ministria e Arsimit ka theksuar se orët e humbura do të zëvendësohen.