Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një studim i ri klinik ka zbuluar se disa lojëra trajnimi për trurin mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve njohëse dhe të ngadalësojnë proceset e plakjes mendore.
Kërkimi, i publikuar në revistën JMIR Serious Games, përfshiu 92 të moshuar nga Kanadaja që luajtën për 10 javë rresht lojëra të ndryshme për 30 minuta në ditë. Grupi që përdori lojërat Double Decision dhe Freeze Frame të platformës BrainHQ tregoi një rritje prej 2.3% të aktivitetit të acetilkolinës, një neurotransmetues kyç për kujtesën dhe përqendrimin.
Në krahasim, grupi që luante lojëra të zakonshme si Solitaire nuk pati përfitime të ngjashme.
Sipas shkencëtarëve, ruajtja e acetilkolinës është thelbësore për të mbajtur trurin aktiv dhe fleksibël gjatë plakjes.
“Ky është studimi i parë që tregon se trajnimi i trurit mund të ndikojë drejtpërdrejt në kimikatet që ruajnë plasticitetin e trurit,” shpjegon profesori Michael Merzenich nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate janë të hershme dhe duhen studime të tjera për të konfirmuar efektet afatgjata.
Ndërkohë, neurologët këshillojnë që trajnimi i trurit të kombinohet me ushqim të balancuar, gjumë të mirë dhe aktivitet fizik të rregullt, për të forcuar kujtesën dhe funksionet mendore.