Qeveria e re e Shqipërisë ka prezantuar një plan ambicioz për 4 vitet e ardhshme, për të nxitur investimet dhe zhvillimin ekonomik në vend, duke mobilizuar mbi 2 miliardë euro kredi dhe garanci për bizneset. Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit, synohet rritja e prodhimit vendas dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

 

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të zonave malore, ku përmes Paketës së Maleve do të lehtësohet marrja e lejeve të ndërtimit dhe do të ofrohet përfitim taksash dhe TVSH zero për dhjetë vitet e para për 500 investitorët e parë. Kjo është një nismë që synon të sjellë investime të qëndrueshme dhe punësim në zonat më pak të zhvilluara.

Një tjetër hap i rëndësishëm është krijimi i sistemit të Byrove të Kreditit (Credit Bureaus), që do të ndikojë në uljen e rreziqeve për bankat dhe bizneset.

Po ashtu, parashikohet heqja e çmimeve të referencës për importet nga Bashkimi Europian, hap ky që pritet të ulë kostot dhe lehtësojë tregtinë.

Përmes Strategjisë së Specializimit Inteligjent, me një buxhet prej 1,18 miliardë euro, qeveria synon të mbështesë projektet e reja të teknologjisë dhe të lidhë më fort ekonominë shqiptare me tregjet europiane, duke ndihmuar bizneset të rriten dhe të konkurrojnë në nivel ndërkombëtar.

Për të siguruar një klimë investimi më të sigurt, ligjet do të përafrohen me standardet e BE-së, duke mbrojtur patentat, markat dhe të drejtat e autorit.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë akses më të lehtë në fonde dhe kredi zhvillimi, duke rritur produktivitetin dhe punësimin lokal.

Për eksportuesit do të ketë programe mbështetëse që ndihmojnë për t’u përshtatur me kërkesat e tregut unik europian, ndërsa certifikatat shqiptare do të njihen në të gjithë Bashkimin Europian falë përmirësimit të infrastrukturës së kontrollit të cilësisë.

Në kuadër të reformave, do të forcohet mbrojtja e konsumatorit me ligje të reja që garantojnë sigurinë e produkteve, ndërsa institucionet e biznesit dhe inspektoratet do të riorganizohen për të qenë më transparente, efikase dhe më pak burokratike.
Kjo paketë masash synon të krijojë një ambient më të favorshëm për biznesin dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë në vitet në vijim.

Shqipëria ka bërë hapa përpara për të krijuar një klimë më të favorshme për sipërmarrjen, duke ulur barrën fiskale për bizneset e vogla, thjeshtuar procedurat dhe rritur konkurrueshmërinë e tregut vendas në raport me rajonin dhe Bashkimin Europian.

Një nga masat më të rëndësishme ka qenë rritja e pragut të TVSH-së në nivelin më të lartë në rajon, duke përjashtuar shumicën e bizneseve të vogla nga kjo detyrë. Sot, vetëm 27% e bizneseve janë subjekt i TVSH-së, ndërsa pjesa tjetër përfitojnë nga politika lehtësuese që i ka liruar nga kjo barrë fiskale.

Gjithashtu, u ndërmor një reformë e thellë për tatimin mbi të ardhurat e bizneseve të vogla: u eliminua tatimi për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, duke përjashtuar 90% të bizneseve të vogla dhe duke u lënë sipërmarrësve në dispozicion rreth 17 miliardë lekë çdo vit për të investuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre.