Rreth 3000 biznese llogaritet që po shuhen nga viti në vit. Lidhja e Bizneseve të Kosovës vlerëson se prodhuesit vendor po vuajnë për përkrahje. Ndërsa analistët ekonomik për këtë situatë fajinë ia adresojnë Qeverisë që sipas tyre ajo nuk ka krijuar strategji për mbajtjen e prodhuesve vendor.
Kosova dikur shihej si vend tejet i përshtatshëm dhe i sigurt për investime, por me kalimin e kohës dëshira dhe mundësitë e sipërmarrësve për të investuar është zbehur.
Derisa afaristët janë të pakënaqur me Qeverinë, lidhja e bizneseve ngre alarmin për shuarje të rreth 3 mijë bizneseve çdo vit.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj, vlerëson se Kosova ka stagnuar në të bërit biznes.
Trendi i shuarjes së bizneseve në Kosovë dhe deficiti i lartë tregtar ka vazhduar edhe gjatë vitit 2024. Në tetor të vitit të kaluar deficiti tregtar ishte 446,5 milionë euro ndërsa i njëjti, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tetor të këtij viti ka shënuar rritje mbi 10% , duke kapur kështu vlerën e 490 milionë eurove.
Ish ministri i financave, Haki Shatri, vlerëson se kjo është pjesa përbërëse në ngecjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Për të përmirësuar zhvillimin ekonomik po kërkohet që të bëhet ligji për investimet strategjike dhe të bëhet një pako stimuluese.
Sipas statistikave, shumë biznese të Kosovës kanë zhvendosur aktivitetin në shtetet fqinje. Raporti i fundit i Banka Qendrore të Shqipërisë, vë në pah se bizneset kosovare janë investitori i katërt në këtë vend. Përveç në Shqipëri, bizneset kosovare shtrirë investimet edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. /rtv21