Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Ndryshimi i shkallës së tatimit në paga shkakton huti tek komuniteti bizneseve

Ekonomi  |  28.08.2024 Ora 10:21   
 Ndryshimi i shkallës së tatimit në paga ka shkaktuar ‘huti’ tek bizneset. Ndonëse, ky ligj po vlerësohet pozitiv nga njohës te ekonomisë dhe disa biznese. Komuniteti i bizneseve ka kërkuar dialog publiko-privat, pasi që sipas tyre, ka mungesë të informatave për ndryshimin e legjislacionit përkatës, e që rrjedhimisht sipas tyre lidhet edhe me dialogun e mangët publiko-privat përgjatë viteve të fundit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, derisa thotë se ligji është pozitiv, konsideron se duhet të ndërpriten praktikat e mos konsultimit me komunitetin e biznesit.

“Ne e kemi parë prej mediave, nuk kemi qenë të njoftuar sa i përket ndryshimeve që janë bërë në ligjin për të ardhurat personale, dhe kjo është një praktikë e keqe… Kësaj here ky ligj nuk ka pasur efekt në biznes, ka pas efekt tek punëmarrësi, në fakt vetëm tek bizneset e vogla ka pasur efekt, por pozitiv, jo negativ”, thotë Rafuna.

Se ka mungesë të dialogut publiko-privat, e thotë edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress derisa kërkon që të shmangen situatat e tilla siç thekson ai hutuese, thotë se i pakuptimtë është fakti që dispozitat e një akti ligjor, në këtë rast të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, shfuqizohen ose ndryshohen me dispozitat e një akti tjetër ligjor që rregullon pagën minimale.

“Njoftimi i sotëm i Administratës Tatimore të Kosovës për ndryshimin e shkallëve të tatimit për të ardhurat personale shkaktoi një huti të çastit në mesin e komunitetit të biznesit, edhe për shkak të mungesës së informatave për ndryshimin e legjislacionit përkatës, e që rrjedhimisht lidhet edhe me dialogun e mangët publiko-privat përgjatë viteve të fundit. I pakuptimtë është fakti që dispozitat e një akti ligjor, në këtë rast të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, shfuqizohen ose ndryshohen me dispozitat e një akti tjetër ligjor që rregullon pagën minimale. Me qëllim të shmangies së situatave të tilla hutuese, kërkohet dialog më dinamik dhe më aktiv i cili do të mundësonte edhe shkëmbimin e informatave, por edhe trajtimin e të gjitha rekomandimeve të sektorit privat”, thotë Zeka në një përgjigje me shkrim.

Ndërsa, Shyqiri Bytyqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se në këtë rast përfiton vetëm i punësuari, derisa shton se ato kompani që kanë pas pagë minimale me ligjin e vjetër, tani detyrohen të rrisin pagën minimale me vendimin e ri.

“Në këtë rast përfiton vetëm i punësuari, në vlerë minimale 6.8 euro në muaj, ndërsa për kompanitë do të jetë kostoja e njëjtë, sepse do të jetë ajo pagë, përjashtim ato kompani që kanë pas pagë minimale me ligjin e vjetër, tani detyrohen të rrisin pagën minimale me vendimin e ri, dhe kjo do të rrisë koston”, thotë Bytyqi.

Në anën tjetër, edhe bizneset vendimin e shohin pozitiv. Pronari i një kompanie në vend, Shaqir Palushi derisa thotë se ky ligj do të ndikojë pozitivisht, thotë se duhet të rritet paga minimale.

“Atëherë ne si kompani rritjen e pagës minimale me ndryshimin e kuotës së tatimit në paga e shohim si pozitive, por, sigurisht se është e pamjaftueshme, sepse vlerësojmë se pagat minimale duhet të jenë më të larta, përkatësisht 350 euro, në mënyrë që punëtorët të mund të jetojnë më dinjitetshem, marrë parasysh inflacionin që është përcille prej shumë vitesh, por, serish mendoj se do të ndikojë pozitivisht”, thotë Palushi.

Ndërsa, për njohësin tjetër të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, kjo pagë minimale duhet të rritet.

“Deri në 250 euro nuk dëmtohet diçka, kur flasim me këtë inflacion 250 euro mund të quhet pagë sociale, jo pagë e dinjitetshme, mbi 250 euro e tutje”, thotë Mustafa.

Nga muaji shtator, secili i punësuar në Kosovë duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pasi siç ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës më 23 gusht ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Shkallët tatimore deri tash në Kosovë:

Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro

Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekadë.

Sipas Muratit të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi.
 
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Ekonomi

Marketing