Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Franca po përballet me protesta të vazhdueshme, ku mijëra studentë kanë bllokuar hyrjet e shkollave të mesme dhe kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Pas më shumë se tri javësh protestash, për këtë të shtunë janë paralajmëruar demonstrata të reja në qytete të ndryshme të vendit. Studentëve pritet t’u bashkohen sindikatat e punëtorëve dhe përfaqësues të lëvizjes së jelekëve të verdhë, e cila në vitin 2018 nisi protestat kundër rritjes së kostos së jetesës.
Pakënaqësitë lidhen me kushtet në arsim, pabarazinë sociale dhe vështirësitë ekonomike. Protestat po zhvillohen në një periudhë të tensionuar politike, ndërsa Franca përballet edhe me borxh të lartë publik dhe një parlament të përçarë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka sugjeruar se zemërimi i studentëve po ndikohet nga interesat politike, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, studentët thonë se protestat janë një nga mënyrat e pakta për t’i bërë autoritetet të dëgjojnë kërkesat e tyre, veçanërisht për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe zvogëlimin e pabarazisë sociale.