Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Koreja e Jugut ka arritur të reduktojë ndjeshëm sasinë e mbeturinave ushqimore që përfundojnë në deponi, duke e rritur shkallën e riciklimit të tyre nga vetëm 2.6 për qind në vitin 1996, në gati 97 për qind në vitin 2023.
Ky transformim është rezultat i politikave të zbatuara gjatë tri dekadave. Në vitin 1995 u vendos tarifa për mbeturinat në bazë të sasisë, në vitin 1997 u bë i detyrueshëm ndarja e mbeturinave ushqimore, ndërsa në vitin 2005 u ndalua deponimi i tyre në landfille.
Një nga sistemet më të përdorura sot janë koshat inteligjentë, të pajisur me teknologji RFID. Banorët i hedhin mbeturinat ushqimore, ndërsa sasia peshohet dhe kostoja i shtohet llogarisë së familjes. Kjo i nxit qytetarët të reduktojnë ushqimin e hedhur.
Mbeturinat e mbledhura përdoren për prodhimin e energjisë, plehrave dhe produkteve të tjera. Në një qendër bioenergjetike në Daejeon, rreth 70–75 për qind e mbetjeve të pranuara përpunohen për prodhim energjie, e cila mbulon nevojat ditore të rreth 6 mijë familjeve.
Edhe Nju Jorku ka nisur të zbatojë një sistem të ngjashëm. Që nga tetori i vitit 2024, ndarja e mbeturinave ushqimore është e detyrueshme për banorët, ndërsa qyteti ka vendosur edhe qindra kosha inteligjentë për kompostim.
Megjithatë, Nju Jorku ende përballet me sfida në zbatimin e sistemit. Në vitin 2025, qyteti menaxhoi rreth 140 mijë tonë mbeturina organike nga familjet, që përbëjnë afërsisht 9 për qind të sasisë së krijuar gjatë vitit.
Ekspertët theksojnë se ndarja, riciklimi dhe ripërdorimi i mbeturinave ushqimore mund të ndihmojnë në uljen e emetimeve dhe në prodhimin e energjisë alternative.