Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të përballen sot me aktgjykimin e shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi do të shpallet duke nisur nga ora 10:00 dhe vendimi do të bëhet veçmas për secilin prej katër të akuzuarve. Seanca pritet të zgjasë rreth dy orë.
Katër ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar. Prokuroria ka kërkuar dënime të gjata me burgim, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar akuzat dhe pretendimet për përgjegjësinë e të akuzuarve.
Procesi gjyqësor ka zgjatur më shumë se katër vjet dhe ka përfshirë dëgjimin e mbi 100 dëshmitarëve nga Prokuroria, si dhe paraqitjen e dëshmitarëve dhe argumenteve nga mbrojtja.
Shpallja e aktgjykimit vjen pas javësh pritjeje dhe mobilizimi publik në Kosovë e në Hagë. Në Prishtinë janë organizuar “Marshi për Liri” dhe “Ora e Pritjes”, ndërsa institucionet dhe misionet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për qetësi gjatë ditës.
Vendimi i shkallës së parë mund të apelohet nga Prokuroria ose mbrojtja, kështu që procesi gjyqësor nuk përfundon domosdoshmërisht me shpalljen e sotme.