Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Përdorimi i inteligjencës artificiale për hartimin e ankesave po rrit ndjeshëm ngarkesën e shkollave, komunave dhe institucioneve të tjera publike në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas BBC-së, chatbotët mund të krijojnë ankesa të gjata dhe komplekse, duke përfshirë referenca në ligje, rregullore dhe vendime. Një institucion ka treguar se ankesat që dikur ishin vetëm një faqe A4, tani mund të arrijnë deri në 20 faqe.
Përfaqësues të pushtetit lokal thonë se AI po rrit jo vetëm numrin, por edhe kompleksitetin e ankesave. Në disa raste, chatbotët japin informacione të pasakta ose citojnë gabimisht ligjet, duke bërë që zyrtarët të shpenzojnë më shumë kohë për verifikimin e tyre.
Megjithatë, përdorimi i AI ka edhe anën pozitive. Për njerëzit që kanë vështirësi me shkrimin ose ndihen të pasigurt përballë gjuhës administrative, teknologjia e bën më të lehtë paraqitjen e ankesave dhe kundërshtimin e vendimeve.
Një përfaqësuese e juristëve të pushtetit lokal ka paralajmëruar se, për ta përballuar këtë rritje vetëm përmes punësimit të stafit të ri, disa institucione do të duhej të dyfishonin numrin e punonjësve që merren me ankesat.
Ekspertët theksojnë se AI duhet përdorur me kujdes dhe se institucionet duhet të gjejnë mënyra për të përfituar nga teknologjia, pa krijuar vonesa dhe ngarkesë të panevojshme.