Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qyteti i Romës ka nisur një iniciativë të re për t’u ofruar banorëve një mënyrë freskimi gjatë valës së të nxehtit. Projekti “The Big Chill” u mundëson qytetarëve të shikojnë filma falas në kinema me ajër të kondicionuar gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Iniciativa synon veçanërisht personat që nuk kanë klimë në shtëpi, pasi më pak se gjysma e italianëve posedojnë sisteme të tilla ftohjeje.
Kryetari i Romës, Roberto Gualtieri, tha se qëllimi është jo vetëm të ofrohet freski, por edhe të krijohen mundësi për socializim dhe aktivitete kulturore gjatë verës.
Banorët do të mund të shikojnë dy filma në ditë pa pagesë, ndërsa për publikun do të hapen edhe hapësira të tjera me klimë, si biblioteka, teatro, qendra kulturore dhe ambiente pune.
Masat do të jenë në fuqi deri më 4 gusht dhe mund të zgjerohen nëse vala e të nxehtit vazhdon.