Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Zjarret në pyje dhe fusha mbeten një nga problemet më serioze gjatë sezonit veror në Kosovë, duke shkaktuar dëme të mëdha në mjedis, prona dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies. Sipas policisë, personat që shkaktojnë zjarre, me dashje apo nga pakujdesia, do të përballen me masa ligjore.
Biologia Ferdije Zhushi Etemi theksoi se djegia e sipërfaqeve nuk sjell asnjë përfitim për tokën, por dëmton mbulesën bimore, ul pjellorinë e saj dhe shkakton pasoja në biodiversitet, cilësinë e ajrit dhe shëndetin e qytetarëve.
Edhe njohësi i çështjeve emergjente, Tahir Ahmeti, vlerësoi se faktori njeri mbetet shkaktari kryesor i zjarreve, ndërsa temperaturat e larta dhe thatësia favorizojnë përhapjen e tyre.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 227 raste zjarrvënieje, ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë evidentuar 62 raste. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar dëmet në mjedis, prona dhe jetë njerëzish.